Me rekomandim të IKSHPK-së, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë nga nesër kalon në mësim online pasi disa mësimdhënës dhe nxënës kanë rezultuar me koronavirus.
Pas testimeve të IKSHPK-së, në këtë shkollë me koronavirus janë konfirmuar shtatë mësimdhënës, një psikologe dhe 13 nxënës nga gjithsej 2953 nxënës dhe 127 mësimdhënës.
IKSHPK po ashtu rekomandon stafin menaxhues të këtij institucioni arsimor, që të dezinfektojnë shkollën dhe të vazhdohet me aplikimin e masave higjieno-sanitare, si dhe të respektohen kriteret dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, si dhe protokolli i reagimit i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Ministria e Shëndetësisë lidhur me çdo ndryshim të situatës epidemiologjike ka bërë të ditur se do të ketë njoftim në kohë reale.