Serbia ndodhet mes dy zjarreve. Pas presionit nga Perëndimi për vendosjen e sanksioneve ruse, presidenti serb Aleksandër Vuçiç është vendosur në një situatë të vështirë nga Rusia. Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme Aleksandar Grushko ka pranuar hapur ditën e djeshme se Moska do të zhgënjehej nëse Serbia vendos sanksione ndaj saj. Nga ana tjetër ai është i bindur se çdo qeveri që udhëhiqet nga interesat kombëtare nuk do të kryejë akte politike dhune duke vendosur sanksione ndaj saj. “Do të isha i pandershëm nëse do të thosha se do të ishim indiferentë ndaj Serbisë që të na vendosë sanksione. Sigurisht që do të zhgënjeheshim”, tha Grushko për Sputnik, kur u pyet nga gazetari se në Serbi ekziston një diskurs se edhe nëse Beogradi do të vendoste sanksione, Rusia do ta mirëkuptonte meqë Serbia nuk ka si të bëjë ndryshe. Për më tepër, Grushko tha se “kur Perëndimi vendos sanksione kundër nesh, ata në fakt vendosin sanksione kundër vetvetes”. “Të gjithë e dinë për gjendjen e rëndë në sektorin e energjisë, madje edhe në sferën e sigurisë ushqimore. Ky është pikërisht rezultat i sanksioneve që kanë përkeqësuar situatën tashmë kritike si pasojë e pandemisë”, tha Grushko, i cili shtoi se Perëndimi po vuan për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Prandaj të bashkohesh në sanksione, them teorikisht, është vendosje e sanksioneve ndaj vetes. Nisemi nga fakti se çdo qeveri që udhëhiqet nga interesat kombëtare dhe nuk dorëzohet para presionit, nuk do të bëjë harakiri të tilla politike”, tha Grushko gjatë një vizitë në Beograd. Grushko u prit edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Për vizita të tilla të zyrtarëve rusë në Serbi, një vend kandidat për BE, në kohën kur Rusia po kryen agresion ndaj Ukrainës pati kritika të gjera në opinion.
Sponsored Content