Për incidentin i cili dërgoi në pezullimin e ndeshjes KB Ponte Prizreni dhe KB Peja Ministria e Sportit pitet ta ftojë në takim Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar duke kërkuar që të merren masa ndaj përgjegjësve, që asnjëherë tjetër të mos shohim gjëra të tilla.
Reagimi i plotë:
Shqetësuese janë ngjarjet nga takimi i sontëm basketbollistik mes KB Ponte dhe KB Peja në Prizren, i ndërprerë me vendim të gjyqtarëve. Por, nuk do të kalojnë pa adresim të përgjegjësisë dhe marrje të masave. Sulmet fizike, fyerjet e veprimet tjera anti-sportive do të marrin përgjigjen e merituar.
Jemi duke i grumbulluar të gjitha informatat për incidentin. Për nesër kam ftuar në takim Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa të enjtën do të ftojmë takimin e Këshillit kombëtar për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në sport. Ndërkohë presim edhe raportin e Policisë së Kosovës për rastin.