
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump pret të arrestohet të martën, bazuar në një rast të trajtuar nga Zyra e Prokurorit në qarkun e Manhatanit.
“Bëhet fjalë për akt-padinë që pritet të ngrejë prokurori i Manhatanit në Nju Jork që ka të bëjë me praktikat e biznesit të zotit Trump, me problemet që e kanë rrethuar zotin Trump, mënyrën si ai ka bërë biznes dhe çështjet e tjera që ai ka pasur me ligjin, megjithatë ai shkuar deri aty sa të thotë që do të arrestohet dhe faktikisht e ka përdorur këtë deklaratë për të elektrizuar mbështetësit e tij,” – u shpreh gazetarja Keida Kostreci.
Hetimet në këtë gjykatë kanë për bazë një pagesë prej 130.000 dollarëve, e cila është kryer disa javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, për të bllokuar Stormy Daniels, emri real i së cilës është Stephanie Clifford, që të tregojë publikisht për një aferë, që ka thënë se e ka pasur me Trumpin, vite më parë.
Prokurorët janë duke analizuar nëse do ta akuzojnë Trumpin për këtë rast. Nëse Prokurori i gjykatës së qarkut në Manhatan e padit Trumpin, atëherë 76-vjeçari do të bëhet ish-presidenti i parë amerikan që akuzohet për krime.