Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje që të mbrohet autorësia intelektuale e prodhimeve kreative në Kosovë.
Këtë e ka theksuar përmes një postimi të publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ku ka vënë në pah krijimtarinë e artistëve të njohur, përfshirë këtu: Dua Lipën, regjisoren Blerta Basholli e po ashtu edhe regjisorin Visar Morina.
Kjo pas sukseseve të shumta që janë arritur përgjatë këtij viti e po ashtu edhe për një sërë artistësh të tjerë, që kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme jashtë trojeve shqiptare.
“Kosovarët janë të njohur për krijimtarinë e tyre. Këtë vit, Blerta Basholli fitoi tri çmime në festivalin Sundance për ‘Hive’, Dua Lipa fitoi një ‘Grammy’ dhe ‘Exile’ i Visar Morinës u bë i nominuari i parë për një Glob të Artë nga Kosova”.
“Kjo krijimtari duhet të mbrohet, jo të shfrytëzohet. Kjo është ajo që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë intelektuale. Çfarë do të bëni për të mbrojtur prodhimet kreative të Kosovës?”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani ndërkohë pak muaj më parë i ndau “Medaljen Presidenciale të Meritave” regjisores së filmit “Zgjoi”, Blerta Bashollit.