Mediat turke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me Faruk Fatih Ozer, i cili akuzohet për mashtrim miliona euro me kriptomonedhat.
Ato raportojnë se shtetasi, i cili u arratis më paratë e rreth 390 mijë klientëve, 13 milionë euro i ka fshehur në Maltë.
Sipas mediave turke, Ozer transferoi asetet me vlerë gjithsej 13.2 milionë euro (253,714,909 lira turke) nga tre llogari të veçanta në kuletat e një ofruesi të shërbimit të aseteve kripto në Maltë.
“Sipas Bordit të Hetimit të Krimit Financiar (MASAK) shumica e aseteve të kriptove në tre llogaritë e veçanta bankare të Ozer u transferuan në Maltë, qendra e shkëmbimit të kriptomonedhave. Ato kuleta kripto, sipas hetimeve, i përkasin Faruk Fatih Ozer dhe bashkëpandehurve Cem Uzunoglu dhe Zuhal Ozer.”, shkruajnë mediat e huaja.
Kujtojmë se i riu u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës.
Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë. Ai u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Gjykata vendosi pak ditë më parë që Faruk Fatih Ozer të ekstradohet në Turqi.