“Origjina mirditore e Gjergj Kastriotit” e Preng C Lleshit”, vlerë për historiografinë shqiptare

SHKRUAR NGA NGA MARK GJON ZEFI

Libri “210 dëshmi dhe referenca historike “Origjina mirditore e Kastriotëve” i studiuesit Preng C Lleshi, është një libër me kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare, për njërën nga temat më madhore të kësaj historie, siç është origjina e dinastisë së Kastriotëve dhe, konkretisht, e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Vendorigjina e dinastisë së Kastriotëve, sipas historiografisë shqiptare të derisotme, përmend vetëm tri krahina si vendorigjina të mundshme për dinastinë e Kastriotëve: “ Matin, Sinjën në Dibër, dhe Kastratin në Has të Kukësit, duke lënë në harresë, çuditërisht, Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjina e vërtetë e Kastriotëve, edhe pse për këtë kishin folur, përveç historianit Jakob Falmerajer, edhe historinët shqiptarë Fan S. Noli, Athanas Gega e ndonjë tjetër. “Është kjo arsyeja që po u paraqes dashamirësve të historisë së Shqipërisë 210 dëshmi dhe referenca historike të studiuesve dhe historianëve të ndryshëm, veçanërisht të huaj, të cilat, direkt ose indirekt, sikur vërtetojnë në dritë të diellit se trojet e Mirditës etnografike janë vedndorigjina jo vetëm e Dukagjinëve, por edhe e Kastriotëve legjendarë” – shpjegon që në fillim të librit P. C. Lleshi.  Po çfarë e motivoi apo e ngacmoi Preng Cub Lleshin në një moshë të thyer e me probleme shëndetësore, por gjithmonë i freskët në arsyetim e gjykim, t’i hynte një pune kaq të vështirë në shumë rrafshe?! Së pari: Subjektivizmi i historianëve shqiptarë në përcaktimin e vendorigjinës së Kastriotëve në tekstet e historisë së Shqipërisë në të gjitha nivelet, duke shmangur apriori, si vendorigjinë të mundshme të Kastriotëve edhe Mirditën etnografike;  Së dyti: Preng Cub Lleshi, argumentet e tija për problemin në fjalë, ka guxuar jo vetëm t’i shkruajë, por edhe të ballafaqohet me profesionistët, që kanë shkruar e shkruajnë tekstet e historisë së Shqipërisë të të gjitha niveleve, madje, duke shfrytëzuar dhe rubrikat televizive, siç është ajo e R. Xhaxhiut, për dëshmitë dhe referencat për origjinën e Kastriotëve; Së treti: Herë pas here, gjatë historisë, pseudohistorianë të huaj, janë përpjekur t’i tjetërsojnë origjinën shqiptare Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, siç qe botimi i profesorit austriak Oliver Jens Schmit mbi Heroin Kombëtar të shqiptarëve, ku, çuditërisht, pati edhe intelektualë shqiptarë që u ndikuan nga interpretimet e gabuara të Oliverit… për Heroin tonë Kombëtar; Së katërti: Për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar opinionin publik shqiptar dhe të huaj, kudo ku ka interes për Shqipërinë dhe shqiptarët se vendorigjina e dinastisë së Kastriotëve është nga Kastri i Vigut të Mirditës etnografike;  Së fundmi: Për të gjitha këto, Preng Cub Lleshi ndërmori hapin e guximshëm e të mundimshëm që, dëshmitë dhe referencat historike të studiuesve shqiptarë dhe të huaj për origjinën e Kastriotëve, t’i përmbledhë në një libër, të cilin e botoi në vitin 2018 dhe e ribotoi në vitin 2021 me “210 dëshmi e referenca”. Autori për dëshmitë e referencat e mësipërme ka studiuar 91 autorë shqiptarë dhe të huaj, prej tyre 59 shqiptarë e 32 të huaj; periudhën historike të Shqipërisë nga shekulli XIV e deri në ditët e sotme. Dhe le të përmendim disa nga dëshmitë dhe referencat e autorit të sjella në këtë libër: “Shtegtimin nëpër dëshmitë dhe referencat historike të studiuesve dhe të historianëve për vendorigjinën mirditore të familjes së Kastriotëve kam vendosur ta nis me historianin e shquar Fan S. Noli. Kjo ndodh sepse ky historian pohonte qartë e prerë se “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh (për historianët- shënimi i P.C.Ll). se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe shpesh tërë Maqedonia .“ – shkruan P. C. Lleshi.( f. 5) . Për “lajthitje” të tilla gjeografike të studiuesve të ndryshëm, që Aemathien e marrin për Matin, kur, në fakt, ajo del të jetë trevë e Mirditës etnografike, autori i librit në fjalë, sjell dëshmi e referenca. “ Për ‘lajthitje’ të tilla,- shkruan P.C. Lleshi, – kur emërtimit Mat të Marin Barletit i korrespondon krahina e Mirditës në mesjetë dhe jo Mati i shekullit XXI, na dëshmon dhe autori Italian Feliçe Kuniberti në librin “Shqipëria dhe princi Skënderbeg”.  Këtu, duke folur për origjinën mirditore të Kastriotëve, pasi shkruan se”mirditorët ushtrojnë publikisht fenë e tyre dhe dallohen me nderim nga fiset e tjera shqiptare prej karakterit dhe prej ideve morale më të mëdha (qytetëruese- shënim i P.C.Ll) e më të larta shton: “Ata kanë dy Prenkë ose prijës, një shpirtëror që është abati me miter i Oroshit, qytet i vogël, por i rëndësishëm në luginën e Matit (?!), tjetri tokësor, që është një anëtar i familjes së Lekëve”, kur dihet se Oroshi gjendet, pothuaj në zemër të Mirditës dhe jo “në luginën e Matit, por në të majtë të luginës së lumit Fani i Vogël”…(f. 6). Për “lajthitje” të tilla gjeografike autori përmend edhe autorë e burime të tjera si: “Antologjinë e re të shkencave e letërsisë dhe arteve”, vol. 33, botuar në Firence më 1876,(f. 7) Conrad Malte Brunin, në veprën “Për Shqipërinë e shqiptarët”,(f. 7), Zhan Klod Faverialin në librin e tij “Historia e Shqipërisë”, (f. 9) etj. “Dhe “lajthitjet” e disa studiuesve e historianëve duket se kanë ardhur për dy arsye: ose sepse nuk e kanë kuptuar, ose nuk kanë dashur ta kuptojnë historianin Marin Barleti” – shpjegon P. C. Lleshi.(F.7) Po kështu edhe për tezat që i bën Kastriotët nga Dibra apo nga Kastrati i Hasit a i Shkodrës, Preng Cub Lleshi i referohet Fan S. Nolit kur shkruante se “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi… se etimologjikisht, është shumë e rëndë të dalë llagapi Kastriotët nga një Kastrat.”, (f. 10) dhe për toponimin “Kastrat” i referohet historianit Kroat, Milan Shuflay se  “Kastratët”, embrioni i të cilëve ishte afër rrënimeve të “taborit” romak pranë rrënojave të Kastrës, në vitin 1559, banonin mbi vijën Shkodër – Orosh.” (f. 11). “Dhe ky pohim,- shkruan P. C. Lleshi, – tregon se Kastratasit ikën nga Kastri pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, në vitin 1501, kur venedikasit e shkatërruan kështjellën e Kastrit, për të mos ua lënë në duar turqve dhe atje kastratasit e ndërruan fenë e të parëve të tyre, duke u islamizuar.” (f. 11) “Edhe hipotezën që i bën Kastriotët me origjinë nga Dibra e Poshtme, duket se rrëzon qoftë edhe një pohim i Marin Barletit, i cili sqaron se Kastrioti erdhi në Dibër të Poshtme, në prag dhe gati mu në kufi të mbretërisë së vet”. (P. C. Ll., f. 11) Drejt Kastrit, si vendorigjina e Kastriotëve, na çon edhe historiani Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quante “njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut”.  Në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti”, ky historian, si dhe të tjerë dëshmon se  “Kastriotët zotëronin … territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”, duke shtuar se “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit.”… Dhe Thanas Gega, ky njohës i thellë i historisë së Heroit tonë Kombëtar, u vë kurorë mendimeve të tij, kur shkruan se “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”.  “Ky pohim lapidar, çuditërisht, edhe pas vlerësimeve të Fan S. Nolit për historianin Athanas Gega, u kalua në heshtje nga historianët shqiptarë, para, gjatë dhe pas gjysmës së dytë të shekullit XX”. (P. C. Ll., f.19-20).  Janë me dhjetra historianë e studiues shqiptarë , të cilëve u referohet studiuesi P. C. Lleshi, që dëshmojnë për origjinën mirditore, nga Kastri në Vig të Mirditës, të familjes së Kastriotëve. Po dhe 32 studiues e burime të huaja, që dëshmojnë të njëjtën gjë. Kështu, gjeografi dhe etnografi francez, Ami Bue pohonte se “kishte dëgjuar që Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës,… gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig” dhe albanologu gjerman George fon Hahn të njëjtën gjë dëshmonte kur theksonte se “Don Engjëlli më konfirmoi… që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatërruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut…, të cilin populli e quante edhe sot e kësaj dite Kastri.” (P.C.Ll., f.18 – 19).  Në këtë hulli, d.m.th. që Kastrin në Vig të Mirditës etnografike e njohin si vendorigjina e familjes së Kastriotëve, shkojnë dhe tregimet, legjendat dhe gojëdhënat të mbledhura në fshatrat e Mirditës nga studiuesi Zef Vorf Neka dhe akademiku Mark Tirta. Edhe krijimet poetike në periudha të ndryshme të historisë, siç është Zef Jubani, Risto Siliqi, Lasgush Poradeci etj. i referohen Kastrës si vendorigjina e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.  Edhe pse janë dëshmi e referenca të autorëve e burimeve të ndryshme në periudha të ndryshme për origjinën mirditore të Kastriotëve, në libër ato “shkrihen” mjeshtërisht nga autori, nga njëra tek tjetra me një stil emfatik, ritëm elegant, me gjuhë të pasur në fjalë e shprehje e ndërtime sintaksore të qarta, të pasura e plot frymëzim, çka përbëjnë një vlerë më vete shumë të bukur të punimit. Pas gjithë këtyre referencave e dëshmive, që paraqet studiuesi Preng Cub Lleshi për origjinën mirditore të Kastriotëve dhe që deri tani nuk është kontestuar nga kundërshtarët profesionistë të kësaj teze, historiografia shqiptare duhet ta marrë të mirëqenë tezën se Kastriotët janë me origjinë nga Kastri i Vigut të Mirditës etnografike, duke shtuar këtu arsyetimin e akademik të Mark Tirtes se: “Siç janë përpjekur grupe historianësh shqiptarë për të vërtetuar se vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Has, e të tjerë në Kastriot të Dibrës a në Mat, duke ngulur këmbë secili në pikëpamjen e vet, edhe ky autor ka të drejtë të mbrojë pikëpamjen e tij, sipas të cilës vendorigjina e Dukagjinëve dhe e Kastriotëve, duhet kërkuar në trevën e Mirditës, e cila konsiderohet si vatra e shtetit të Arbërit. Dhe teza e tij, se Kastri në Vig të Mirditës është vatra e hershme e Kastriotëve, është krejt e arsyetuar me citimet e shumta që sjell autori në favor të saj.”( M. Tirta “Trojet e Mirditës …,f. 5).

“Milionat, pozitat e larta, femrat, akuzat”- Si u bë i famshëm Silvio Berlusconi?

Në botën plot labirinte të politikës italiane, Silvio Berlusconi, ishte njeriu që diti të përziente më mirë se kushdo tjetër biznesin me jetën publike. Personaliteti...

10 vendet që nuk duhen vizituar kurrë

Lexie Alford mban rekordin Guinness si personi më i ri që ka udhëtuar në çdo shtet të botës. 25-vjeçarja amerikane ka qenë në 196 shtete...

Ekspertët befasojnë me paralajmërimin e fundit, ja çfarë do të ndodhë me njerëzimin

Një grup ekspertësh, përfshirë drejtuesit e OpenAI dhe Google Deepmind, kanë paralajmëruar përmes një deklaratë të përbashkët se inteligjenca artificiale mund të çojë në...

Raportimi i frikshëm i Microsoft: AI ka elementë të logjikës njerëzore!

Prej disa kohësh tashmë, inteligjenca artificiale po pushton gjithmonë e më shumë jetët tona, si një tentativë e frikshme për të zëvëndësuar tiparet e...

Vdes George Soros? Publikohet lajmi që shokoi botën

Thashethemet për vdekjen e financierit George Soros kanë vërshuar sërish internetin. Investitori, biznesmeni dhe kryefinancieri hungarez amerikan njihet më së shumti për punën e...

RAJONI

All

“Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën”, Rama: Kosova duhet të shpallë zgjedhje të menjëhershme

Kryeministri Edi Rama, shprehet se qëndrimi i tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës, është i njëjtë me atë të liderëve të...

Rama: Ushtria serbe nuk i prek dot një fije floku Kosovës, thjesht i vjen vërdallë për konsum të brendshëm

Duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, kryeministri Edi Rama thotë se lëvizja e ushtrisë së Serbisë pranë kufirit është për konsum të...

New York Times zbulon lidhjet e presidentit serb me botën e krimit, ja çfarë pretendohet

Revista javore e gazetës Nju Jork Tajms, ka botuar një artikull të gjatë, ku zbulon lidhje të pretenduara të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me...

Vritet i akuzuari për kontrabandë droge nga Mali i Zi dhe Shqipëria

akuzuari për kontrabandë droge nga Mali i Zi dhe Shqipëria ka mbetur i vrarë në Zagreb. Mediat vendase bëjnë me dije se ngjarja...

Çanak: Kosova u fitua me luftë më 1912 dhe u humb me luftë më 1999

Nenad Çanak, ish-kryetar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës dhe një nga liderët e Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS), ka kujtuar kohën sa ishte...

Deklarata tronditëse e Abazoviç: Gabimi më i madh i mafias ishte që nuk më vrau

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar pas akuzave të ish-kryeprokurorit special Milivoj Katniç për lidhjet e tij me klanin kriminal Skaljar.duke...

Kompania Kosovare Royal/ Ndërton hotelin luksoz “Jadran”, nënshkruhet marrëveshje milionëshe në Mal të Zi

Është bërë nënshkrimi i Aneksit IV i kontratës në vlerë prej mbi 40 milionë euro për ndërtimin e hotelit me pesë yje në qendër...

EKONOMI

SHOWBIZI

BIZNES

rubrika rozË