Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka lëshuar njoftim për ndalimin e Vllaznim Cakiqi, i dyshuar për mashtrimin e qindra qytetarëve. Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për arrestimin e 27-vjeçarit, i cili u kap dje në Prishtinë, në bazë të kërkesës për ndalim policor.
Sipas, Prokurorisë, Cakiqi, bashkë me katër persona të tjerë dyshohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
27-vjeçari po dyshohet se “që nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, për të cilin rast prokuroria e ka njoftuar opinionin publik, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar qindra qytetarë, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur dhe përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave, për të cilat shërbime të aplikimit përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju është shkaktuar dëm material.”
Ndaj tij, prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.