Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se pas diskutimit në panel në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, ka zhvilluar takime të ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum.
Gjatë këtyre takimeve, Kurti ka thënë se ka dhënë arsyet për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Gjatë qëndrimit atje, Kurti ka thënë se është takuar edhe më mërgimtarë.
“Në mbrëmje takova mergimtarët tanë në Austri. U shpreha mirënjohje të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm, si pjesë kyçe e zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës në çdo kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vëmendje të veçantë për mërgatën dhe kjo është reflektuar edhe në Programin tonë qeverisës, si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Në edicionin e 19-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, theksova se krahas zhvillimit të ekonomisë, Republika e Kosovës po ashtu ka shënuar përparim në fuqizimin e demokracisë.
Pas diskutimit në panel, zhvillova takime të ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum.
Potencova arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave.
Krahas qeverisjes demokratike, pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Veçova rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe gjykatën komerciale.
Në mbrëmje takova mergimtarët tanë në Austri. U shpreha mirënjohje të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm, si pjesë kyçe e zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës në çdo kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vëmendje të veçantë për mërgatën dhe kjo është reflektuar edhe në Programin tonë qeverisës, si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm.