Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Ballkani i Hapur do të dështojë pasi është i gabuar.
“Ballkani i Hapur si një ide, unë mendoj se nuk do të ketë sukses dhe mendoj se është i gabueshëm. Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim, por ndaj kujt? Ne jemi të hapur karshi BE-së, SHBA-së, dhe NATO-s. Por, të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj që është gabim,” tha Kurti.
Kurti ka përkujtuar se Procesi i Berlinit është rruga e duhur drejt integrimit evropian.
“Çka nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë, çka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën. Në Procesin e Berlinit udhëheq Gjermania, në Ballkanin e Hapur udhëheq Serbia. Procesi i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit Scholz është rruga e duhur drejt integrimit evropian. Serbia dëshiron që Gjermania të mos pajtohet me Francën dhe as Brukseli më Uashingtonin. Serbia njësoj si Kremlini dëshiron që faktorët perëndimorë të jenë të përçarë. Është gabim që ne shqiptarët provojmë si Serbia të luajmë me dallimet mes faktorëve perëndimorë. Jo! Ne na intereson ajo çfarë është e përbashkët ndërmjet Berlinit-Brukselit-Parisit-Uashingtonit dhe Londrës”, ka thënë Kurti.
Albin Kurti, ka thënë se është mirë kur zyrtaret e Qeverisë së Shqipërisë e vizitojnë Kosovën.
Kështu e ka komentuar vizitën e Edi Ramës në Kosovë, teksa kryeministri shqiptar është takuar me një grup gazetarësh.
Gazetari Çim Peka tha se “kritikët e tij gëzohen kur vjen Rama sikur serbët ndaj Vuçiqit”.
Por Kurti e ka refuzuar kategorikisht këtë krahasim.
“Nuk krahasohet kurrë Tirana me Beogradin e as Rama me Vuçiqin”, ka thënë Kurti.
“Ne jemi dy shtete, por një komb – sa më shumë vizita të shqiptarëve të Shqipërisë në Kosovë”, ka deklaruar Kurti./Lajmi.net