Këtë 28 nëntor do bënte 67 vjeç. Jeta dhe pasvdekja e njeriut që projektoi të ardhmen e Kosovës

Nga Bedri Islami

Sot, më 28 nëntor, Adem Jashari do të ishte 67 vjeçar. Është në ato rastet e rralla, kur historia e një kombi mund të kthehet nga vendosmëria e një burri të vetëm.

Vizioni politik i Adem Jasharit, ndërsa është i mbështjellë me konfigurimin e armës, ka në thellësinë e vetë mendimin e qartë se lufta ishte e domosdoshme, pasi nuk do të kishte rrugë tjetër dhe, së dyti, kjo luftë nuk duhet bërë, ashtu kaçakçe, si kishte ndodhur jo radhë në historinë e kombit tonë. Ai kërkonte që të luftohej, kjo luftë, në se do të ishte e domosdoshme do të fillohej nga vatra e tij, për të shkuar më tej në të gjithë Kosovën. Por, jo një luftë e ngulitur thjeshtë në një mal, me njerëz që qesin pushkë thjeshtë se nuk e duan pushtimin dhe Serbinë, me njerëz të cilëve u ka ardhur deri në fyt e keqja e pushtimit.

Ai kërkonte shumë më tepër se kaq, dhe, për të ngritur një gjë të tillë ai kishte aftësinë që të priste, të ecte në drejt vizimin e duhur, të mos ngutej dhe të mos krijonte rreth vetes një gardh të mbyllur.

Më shumë se gjithçka kjo do të ishte një luftë me synime të qarta kombëtare dhe politike dhe kjo kërkonte një drejtim politik.

Për të ardhur deri në mesin e vitit 1993, kur edhe ndjehet prania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të kishin kaluar disa vite. Në fillimet e vitit 1989 dhe më pas , Adem Jashari do të ishte njëri ndër anëtarët e strukturave ilegale që do të kërkonin ngritjen e ushtrisë së shqiptarëve të Kosovës. Në bisedë me Ramadan Avdiun, aso kohe njëri ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Grupi i Drenicës, mes të cilëve spikaste roli dhe figura e Adem Jasharit , do të thonte qartësisht :

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por dikush duhet t’u dalë zot aksioneve tona. Jo vetëm t’i mbështesë, por edhe të ketë përfaqësimin politik, mbështetjen politike”.

Kjo do të ndodhte për herë të parë pas shumë e shumë viteve. Deri atëherë lëvizjet spontane apo të organizuara të qëndresës shqiptare në Kosovë nuk e kishin pasur këtë element thelbësor, tani forcat politike ilegale e kërkonin këtë, ndoshta edhe duke pasur parasysh përvojat e deriatëhershme. Adem Jashari do të ishte njëri nga të parët që do e kërkonte këtë, si forcë madhore për të krijuar qëndresën e armatosur dhe luftën deri në fitore.

Sado thellë që të futesh në jetën dhe rrugëtimin e këtij njeriu nuk do të gjesh dot asnjë rast të vetëm, qoftë edhe krejt minor, në të cilin ai do të kërkonte të shfaqej si figurë kryesore. Fjalë pak si radhë kush, ai do të bëhej edhe më i heshtur kur do të ishte fjala për rolin e tij. Në mënyrë këmbëngulëse ai nuk e kërkoi asnjëherë krijimin e figurës së tij si prijës apo lider, gjithçka ndodhi mrekullisht vetë, pa asnjë dekret dhe fjalë.

A kishte pasur raste kur ai do të shfaqej haptas si njeri themelor i luftës që po vinte? Sigurisht që ka disa të tillë.

Është i njohur fakti se rrethimi i parë i kullave të Jasharëve ndodhi me 30 dhjetor të vitit 1991. Në shtëpi ishin të tre djemtë, Rifati, Hamza dhe Ademi, ishte i ati i tyre , baca Shaban, ishin pjesëtarët e tjerë. Rrethimi kishte filluar që në orët e vona të mbrëmjes dhe , si do të dëshmonin më vonë pjesëtarët e familjes Jashari, ka qenë i pritur prej tyre. Ishte piku i dimrit, ftohtë i jashtëzakonshëm, gjithkah ishte mbuluar nga dëbora. Tre burrat e familjes Jashari, pas përleshjeve të forta, do të çajnë rrethimin dhe do dalin në kahe të ndryshme, nga ku ndezin edhe një herë zjarrin e luftës. Policia merr peng 27 anëtarët e familjes Jashari, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra ata që i kishin mbi 13 vite, i nxjerrin me duar të lidhura, në borë, para tankut.

Policët e nxjerrin po ashtu edhe nënën e Jasharëve si mburojë përpara, duke dashur të hyjnë në shtëpi, gjithnjë me mendimin se Ademi ishte brenda. Ndërkohë Grupi i Drenicës ishte mbledhur. Me orët që shkonin kanë filluar të shkojnë në ndihmë të Jasharajve njerëz të armatosur nga Prekazi, nga të gjitha anët e Drenicës, por edhe me gjerë  se kaq. Mali përballë kullave është mbushur me njerëz. Secili e kishte nga një armë me vete. Janë mbledhur për të gjykuar dhe u kanë thënë Jasharëve; ” Merrni komandën dhe udhëhiqeni luftën”.

Do të ishte shfaqja e parë madhore e njerëzve të gatshëm për luftë. Pas demonstratave të jashtëzakonshme në fundin e vitit 1989, kjo do të ishte tabloja e dytë e asaj që do të vinte në pas marsin e vitit 1998.

Nëse Adem Jashari do të kishte pasur konceptin e ngushtë për luftën, pra në se ai do të kishte menduar se ” hajt, po ja fillojmë…”, gjithë ata njerëz që kishin rrethuar malin, do të ishin një ngasje e madhe për ta bërë këtë. Një njeri i zakonshëm, i revoltuar, i gatshëm të luftojë, ndoshta do e kishte parë të arsyeshme se ” mund të ja fillojmë “. Në fund të fundit do të kishte qenë e justifikueshme. Aq më shumë kjo do të kishte qenë e justifikueshme në momentet e dhimbjes vetjake, kur sheh se gjithë anëtarët e familjes janë peng i pushtuesit, kur burrat janë lidhur dhe nuk dihet fati i tyre. Por kjo do të ishte e natyrshme për një njeri të zakonshëm, jo për njerëz që kthejnë për së mbari historinë dhe jetën e një kombi.

Adem Jashari ishte në këto të fundit, ai, që atëherë, do të hynte në plejadën e njerëzve që jo vetëm janë pjesë e historisë, por edhe e bëjnë atë. Dhe e bëjnë për së mbari.

Ai nuk do të ngutej. E kishte të qartë se asgjë nuk do të vinte për së mbari nga grykat e Velanisë, por as nuk i bëhej merak për këtë. Po të ishte puna që të pyeteshin “institucionet” e Kosovës, as për njëqind vite nuk do të kishte filluar qëndresa e armatosur, për të shkuar drejt luftës së pashmangshme.

30 dhjetori i vitit 1991 do të ishte fillesa e pagëzimit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në se do të kishim pasur ngutje, në se njeriu mit do të kishte menduar se “hajt, po ja fillojmë” do të kishte qenë lehtësisht e mundshme që çdo gjë do të ishte shkatërruar e rrënuar, ani pse njeriu që do e kishte filluar do të kishte mbetur në histori.

Adem Jashari nuk ishte nga ata burra që donte ta fillonte dhe të mbeste në histori. Ai donte të bënte një ngrehinë të tillë që, jo vetëm ta fillonte, por edhe ta përfundonte, dhe kjo nuk mund të bëhej ndryshe, veçse e struktura mirë, jashtë dhimbjes vetjake. Ai kërkonte të hidhej themeli i fuqishëm, i pa lagështit, dhe dhimbja vetjake sigurisht që do e bënte të lagësht.

Në vitin 1993, në një fjalim publik, me rastin e varrosjes së dy dëshmorëve, Ukshin Hoti, vizionar dhe njëkohësisht dinjitar si ai, do të thonte krejt hapur se, “Kosovës i duhet Ushtria e saj Çlirimtare”. Do të ishte e njëjta gjë që do të sendertonte Adem Jashari, pasi e kishte kërkuar atë, pasi kishte punuar për ta pasur atë.

Mendimi vizionar, i thënë krejt shkurt nga Adem Jashari, e po ashtu krejt saktë se “Armët nuk i kam marrë për të ja dorëzuar Serbisë, por që të bëj luftën kundër saj”, është krejt i njëjtë me përqasjen filozofike të Ukshin Hotit, për domosdoshmërinë e krijimit në Kosovë të ushtrisë së saj Çlirimtare.

A do të kishte qenë e mundur që të kishte ndodhur krejt ndryshe, pra të kishte një fillesë lufte dhe më pas, nuk do të dihej se çfarë do të kishte ndodhur? Është e sigurte se, nëse do të kishte pasur ngritje të shpejtuar, humbjet do të kishin qenë të rënda dhe ndoshta të pakthyeshme. Në fundin e vitit 1991 Kosova nuk ishte e përgatitur për luftën që do të vinte.

Ajo sapo kishte dalë nga protestat masive të një viti më parë, në të cilat kishte pasur edhe humbjet e ndjeshme të Afrim Zhitisë, Fahri Faslisë dhe të tjerëve. Në se demonstratat e atyre ditëve kishin qenë sinjali i parë i luftës që po afrohej, dhjetori i vitit 1991 ishte guri i parë i provës, provë, përmes së cilës mund të kalonin vetëm ata që do të ishin të gatshëm për aktin suprem të flijimit të madh.

Mendimi vizionar i Adem Jasharit për të ngritur në radhë të parë strukturat e luftës , mbështetur jo vetëm tek një njeri, tek një familje apo tek një fis dëshmoi se kishte qenë i drejtë dhe i saktë. Fakti se rreth tij u mblodhën, në një mënyrë ose në një tjetër, nga larg ose nga afër, të gjithë ata që do të ishin njëkohësisht pjesë dhe realizues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të çon pashmangshëm tek mendimi tjetër : cilët ishin ata tek të cilët Adem Jashari kishte falur besimin e tij të madh dhe kishte rrokur besën se do i shkonin punëve deri në fund.

Është lehtësisht e dallueshme se, kushdo që ka ecur nëpër rrugëtimin e luftës, në një mënyrë ose në një tjetër, ka pasur lidhje ose ka qenë i përfshirë në strukturat që lidheshin me Adem Jasharin. Nuk ka asnjë dekret të posaçëm për të, edhe po të ishte kërkuar të dilte një dekret i tillë , Adem Jashari do e hidhte poshtë. Edhe kur bëhet Mbledhja e njohur e 5 prillit 1993 në Kullën e Jasharëve, ai nuk e vendos veten mbi të tjerët, sepse as që e ka ndër mend një gjë të tillë. Fjalë pak si gjithnjë, atë e brenin rishtas dy halle të mëdha : ecuria e Ushtrisë që po ngrihet ,emërtimi i saj dhe , më e rëndësishmja, ai rikthehet tek mendimi tij për përgjegjësinë e aksioneve.

Mbledhja e 5 prillit në Prekaz është njëra ndër më të rëndësishmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.Disa nga emrat e njohur të luftës do të jenë pjesë e saj, mes të cilëve edhe Fadil Kodra, Hamit Jashari,Sahit Jashari,Besim Rama, Rafet Rama, Hashim Thaçi, Jakup Nura, Ilmi Zeka, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku e të tjerë. Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ajo ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijatar të Adem Jasharit.

Megjithatë ai kurrë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, por e gjithë kjo, brenda Kosovës, u bë krejt natyrshëm, si diçka e zakonshme dhe e kuptueshme. Nëpër portat e atyre kullave do të hynin Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sulejman Selimi, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci,Jakup Krasniq, Iliaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Abedin Rexha, Kadri Veseli,.. më parë e kishin bërë këtë rrugë Ahmet Haxhia dhe Ramadan Avdiu, më pas do të shkonin drejt saj Adrian Krasniqi dhe Daut Haredinaj, do të kishin lidhje me të Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla, Fehmi Lladrovci, kjo do të thotë se do të gjesh thuajse të gjithë emrat e njohur të luftës.

Kjo nuk ka qenë rastësi dhe nuk do të ishte, po ashtu e rastësishme, që në ditët më të vështira, do e kishin të domosdoshme mbështetjen tek emëri i Adem Jasharit. Krejtësisht logjikshëm ai u bë qendra e luftës, dhe rrjedhja e mëpasshme e ngjarjeve dëshmoi vërtetësinë e thënies së Shaban Jasharit se ” besën po ua jap, nëse kërcet në Prekaz, ka me krisë në të gjithë Kosovën”.

Sidoqoftë unë do të desha të sjell tre shembuj, krejt shkurt.

– është i njohur fakti se Zahir Pajaziti, po ashtu një emër i njohur i luftës, ndoshta nga të paktit drejtues të strukturave të saj që nuk ishte takuar personalisht me Adem Jasharin, në natën e 31 janarit 1997,kur edhe do të vritej, kishte njërin ndër synimet e tij, takimin me Jasharët.

– në fillimin e marsit 1998 do të ndodheshin në Prekaz edhe dy nga figurat emblematike të luftës, Rrustem Mustafa dhe Rrahman Rama. Megjithëse vinin nga dy zona të ndryshme , ata kishin prirë drejt Prekazit për të njëjtin qëllim: të takoheshin me Adem Jasharin dhe të merrnin mendimin e tij në se kishte ardhur koha të ja fillonin luftën.

– në të njëjtën kohë, pra krejt në fillimin e marsit 1998, dy drenicakë , njëri nga të cilët do të dëshmonte më pas se ishte i denjë të hynte në historinë e kombit si njëri ndër herojtë e mëdhenj të tij, Fehmi Lladrovci dhe Sami Lushtaku , kishin braktisur Gjermaninë dhe po ktheheshin përfundimisht në Drenicë. Gjithë rrugës, kur ende nuk e kishin marrë lajmin për vrasjen e Jasharëve, ata kishin vetëm një brengë : çfarë do i pyeste Adem Jashari, çfarë do i tregonin ata, si do i priste ai…

Sepse kjo ishte forca e këtij njeriu.

Kalimi përmes miqësisë së tij ka qenë, si të thuash, pa dashje, një gur prove, një moment i rëndësishëm i jetës prej luftëtari.

Adem Jashari i kthehej gjithnjë mendimit të tij vizionar se duheshin ndryshuar rrjedhat e qëndresës dhe se këtë nuk mund ta bënte vetëm një njeri, cilido qoftë ai. Ai, në mënyrë të pashmangshme ishte ndër vizionarët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e sendërtoi faktin se lufta nuk ishte pragu i shtëpisë, nuk ishte caku i fundit i oborrit, sinori i fshatit apo mali përballë. Lufta ishte më e gjerë se kaq dhe për motive shumë më të thelbësore, për të cilat ia vleje të luftoje dhe të sakrifikoheshe.

Adem Jashari bëri më tej në këtë rrugë. Në të njëjtën kohë ai po shkruante edhe vizionin e ri të kohës që po vinte dhe këtë nuk po e bënte me fjalë të mëdha, por krejt natyrshëm, duke kaluar përmes gjërave të shenjta për të.

Cilat ishin gjërat e shenjta të Adem Jasharit

Në jetën e kujtdo, pra edhe në jetën e Jasharëve, zënë vend natyrshëm gjërat që i kanë më për zemër, që i kanë  bërë të shenjta dhe i mbajnë ashtu, deri sa të kenë frymën e fundit. Adem Jashari, njeri i fjalës së paktë, kishte bërë shenjtërimin e gjërave, për të cilat, jo vetëm ia vleje të luftoje, por edhe të flijoheshe. Kur e kishte menduar një gjë të tillë, ai e kishte quajtur çdo gjë të zakonshme e normale, njëlloj si ditët e jetës së përditshme, si frymëmarrja e zakonshme apo përtëritja e stinëve.

Por le të sjellim disa shembuj për të shkuar tek gjërat e shenjta të Adem Jasharit dhe të gjithë Fisit të tij. Shembulli i parë ose shenjtërimi i parë:

– Në thyerjen e natës së 30 janarit 1991 ndodh rrethimi i parë i Jasharëve. Tre djemtë e shtëpisë, Rifati , Hamza dhe Ademi, pasi nisin luftën, çajnë rrethimin dhe zënë vend bri malit, pikërisht aty ku sot ndodhen varrezat. Prej atje vazhdojnë të luftojnë, pasi u kanë ardhur në ndihmë edhe bashkëluftëtarët e tyre.

Baca Shaban ka qëndruar gjatë tërë kohës në kullë, stoik si ai, i qetë, duke e ditur se tashmë lufta ka nisur dhe si çdo luftë, edhe ajo do të ketë të rënët e saj. Policia serbe, pasi kishte lënë të vrarët e parë, përforcohet me mjete luftarake: vijnë helikopterët, tanku fillon të lëvizë drejt kullave dhe më në fund futen në oborrin e shtëpisë.

Kur futen brenda, njëri prej drejtuesve të policisë serbe e pyet bacën Shaban: “Të kujt janë gjithë këto shtëpi dhe pasuri?”.

– Të miat, të djemve dhe të nipave të mi – i a kthen baca Shaban, ndërsa oficeri, duke parë rreth e rrotull, gjithë atë mall e gjë, i drejtohet edhe një herë plakut të urtë : “A kanë mend këto djemtë e tu që po luftojnë, kur i kanë gjithë këto të mira?”

-Po, i kanë, veç liri nuk kanë – i kthen baca Shaban dhe ata fillojnë ta godasin, të tërbuar nga përgjigja e qetë dhe e urtë e plakut të shtëpisë. Pastaj fillojnë e godasin edhe Lulëzimin që bën ti dalë për zot gjyshit të tij.

Në të vërtetë Jasharët i kishin të gjitha, mall e gjë, shtëpi të ngritura dhe që mund të ngrinin edhe në të ardhmen, toka dhe livadhe, vaden e ujit dhe makina, një jetë të sigurte ekonomike dhe mund ta shkonin ashtu gjithë jetën e tyre, duke pritur që dikush tjetër t’i lëvizte gjërat nga vendi. Mund ta bënin këtë. Jo pak e kishin bërë, ishin mbyllur rreth avllisë së oborrit të tyre sa pa rënë nata dhe kishin fjetur , në gjumin e madh të harresës.

Adem Jashari nuk mund ta bënte këtë, sepse e kishte të shenjtë lirinë. Dhe nuk e kishte në përmasa të zakonshme, ashtu si mund ta kenë edhe shumë të tjerë. Ai i falej asaj, e adhuronte atë, e kishte vënë mbi veten dhe mbi gjithë fisin e tij.

Kjo do të thonte se ai kishte pasur një fillesë të mbarë drejt pavdekshmërisë. Nuk e kishte bërë me mendje një gjë të tillë. Zakonisht gjërat e shenjta njerëzit i mbajnë thellë vetes së tyre. Adem Jashari e kishte mbajtur kështu, thellë vetes, dëshirën për të qenë i lirë, qoftë edhe me kulla të djegura, qoftë edhe pas rënies së tij.

Shembulli i dytë ose shenjtërimi i dytë:

– Ishte viti 1989. Kohë e turbullt, por jeta duhej vazhduar gjithsesi. Duheshin përshpejtuar brezat, duheshin bërë dasmat, duheshin marrë nuset.

Mirëpo në këtë vit fatkob policia serbe dilte nëpër rrugë, ndalonte krushqit e dasmorët, i zbriste nga makinat apo u priste udhët, i hiqte flamurin dyshkabash dhe ua shkelte me këmbë, ua griste dhe pastaj fillonte të qëllonte. Kështu kishte ndodhur jo vetëm në këtë vit fatkob, kështu kishte ndodhur që kur mbahej mend se kishim filluar të jetonin nën shkja. Kishte pasur këngë për njerëzit që nuk e kishin hequr flamurin dhe ishin vrarë për të. Por në fundin e një shekulli kjo ishte edhe më e rëndë.

Në këtë vit martohej një mik dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit. Më pas ai do të ishte edhe përfaqësuesi i tij në perëndim, Ramiz Lladrovci, “Veshi”.

Njerëzit në shtëpinë e vjetër të Lladrovcëve ishin bërë gati të niseshin për të marrë nusen. Në dhomën e dasmorëve hyri Fehmi Lladrovci.

“O njerëz, u tha, po nisemi me marrë nusen”. Të tjerët miratuan me kokë dhe dikush bëri të ngrihej. Fehmiu vazhdoi. “Nusen do e marrim me flamur”. Të tjerët përsëri tundën kokat”. Mirëpo flamurin nuk e japim. Në se dalin përpara milicët serbë, luftën e bëjmë dhe flamurin nuk e japim. Mendohuni mirë, kush e ndjen veten të aftë për të mbrojtur flamurin, le të bëhet gati, të tjerët, nuk ua marrim për të keq, le të rrinë në shtëpi”.

Kur doli nga dhoma, Fehmiu u tha miqve të afërt: “Çojini fjalë Adem Jasharit, tregoni se po shkojmë të marrim nusen me flamur dhe flamurin nuk e japim”.

Asaj dite Ademi kishte një rast gëzimi në shtëpinë e tij. Mirëpo i lë të gjitha, merr makinën, e ngarkon me pushkë automatike dhe mitraloz, fut në ndenjësen prapa bombat e borës dhe fishekë të tjerë, mbështjell rreth saj flamurin e madh, mbi kokë vë kësulën e bardhë dhe niset.

E kishin thirrur miqtë e tij. Por nuk ishte vetëm kjo, atë e kishin thirrur se donin të mbronin flamurin, se ishin të gatshëm të luftonin për flamurin dhe e dinin mirëfilli se asaj dite duhej një burrë si Adem Jashari. Flamurit i duhej një njeri i tillë. Ishte viti 1989, dy vite para se të ndodhte rrethimi i parë i kullës së tyre dhe të niste kështu të shkruhej historia e legjendshme e Jasharëve.

Kam pyetur më vonë tek Lladrovcët, se si kishte ndodhur më pas. Makinat ishin nisur. Në mesin e tyre qëndronte Adem Jashari, i heshtur, i bindur se po bënte detyrën e tij, i gatshëm të sakrifikohej. Si duket policët kishin marrë vesh se do të kishte qëndresë, askush nuk i ndali. Në shtëpinë e nuses u shkrepën armë sa të dëgjoheshin dhjetëra kilometra tej, por as në kthim askush nuk i ndali.

Më shumë se dhjetë vetë ma kanë treguar këtë histori. Të gjithë njëlloj dhe të gjithë, po ashtu, njëlloj të gëzuar se u kishte rënë në fat të udhëtonin një herë me Adem Jasharin për të mbrojtur flamurin.

Flamuri ishte gjëja tjetër e shenjtë e Adem Jasharit. E kishte në ballin e kullave, e kishte në makinën e tij, e kishte nëpër këngët që i dinte, e kishte në mal me vete, në fund të fundit e kishte aq pranë sa u bënë pjesë e njeri tjetrit.

Për besë nuk e di se çfarë do të kishte thënë Adem Jashari për flamurin e sotëm të Kosovës. Nuk e di, por mendja ma merr se do të kishte rrudhur supet, do të ishte munduar të gjente diçka nga ajo që kishte pasur dhe në se nuk do e kishte gjetur, do të kishte thënë ” le të jetë hë për hë edhe ky, deri sa të bëhemi një shtet dhe vjen përsëri flamuri ynë, që edhe kështu nuk po e heqim”.

Për besë, edhe sikur dhjetë herë shtet të ishte Kosova dhe të kishte dhjetë flamurë shtetërorë, Adem Jashari nuk do të ndahej nga flamuri dy shkabash, i cili ishte pjesë e jetës së tij.

Shembulli i tretë:

– Isha mik një natë tek familja e Jasharëve dhe pas bukës, ndërsa po pinim çajin tradicional, të cilin unë e pëlqej vetëm kur jam me drenicakë, filluam të shohim disa filmime nga jeta e familjes së tyre, para ngjarjeve të marsit të vitit 1998. Ishte një ditë e zakonshme, krejt e zakonshme, gjithë diell, ftohtë, pasi kishin ngrirë rrekëzat e ujërave dhe Adem Jashari ishte me fëmijë dhe nipër në oborrin përbri. Fëmijët po luanin me njeri tjetrin, ai krasiste diçka, pastaj fliste e luante me fëmijët, diçka i ngacmonte dhe ata i përgjigjeshin, pushka ishte lënë pak mënjanë, kishte një sëpate në dorë dhe herë pas here çante dru.

Sytë i shkëlqenin më shumë se zakonisht, ndjehej se ishte i lumtur në këtë çast pushimi, kur kishte lënë pas, qoftë edhe përkohësisht punët e luftës. Herë pas here shikonte andej nga ku duhej të ishte mali.

Pastaj e kam parë tek rrinte me nënën e tij, mbesën e Shaban Polluzhës së njohur, e kam parë tek i a merrte duart e buta , me rrudhat e moshës, në duart e tij të forta, por që jo rastësisht i përkëdhelnin aq butë. I shërbente asaj, i a rregullonin dy djemtë, ai dhe Hamza, jastëkun pas supeve, qeshnin me të, pastaj diçka i thoshin për vitet e saj që nuk po plaknin dhe pas një copë here, ndërsa po nisej për në aksion, i thoshte, krejt zakonshëm, si të shkonte për një punë të çfarëdoshme “hajt , natën e mirë e bëfshi”.

Gjithçka ishte më shumë se e zakonshme, ishte, si të thuash, një fragment nga jeta e secilit bujk. Kushdo mund të ishte ai, por nëse e vështroje me vëmendje, mund të dalloje shumë lehtësisht mallin e tij, ndenjën e afërsisë, të respektit dhe të mirënjohjes për familjen e tij.

Adem Jashari e kishte të shenjtë familjen e tij. Ky ishte një tjetër shenjtërim i tij. Ai përgjërohej për nënën dhe fëmijët, për dajallarët dhe nipërit e mbesat, kishte një marrëdhënie shumë të afërt me të atin e tij, si prind, si mësues dhe si prijës, bënte hoka me të vëllain e tij më të madh, të cilin e vinte mbi gjithçka.

Rifat Jashari kujton,  kur u kthye në vitin 1996, ilegal në shtëpinë e tij:

“Kur shkova të fle, Ademi m’i solli armët dhe disa bomba, ndërsa unë i thashë: “Largomi këto “hekura” se unë nuk rehatohem natën”. Ademi më tha “Ja ku i ke dhe bën çfarë të duash me to”. Para se ta mbyllte derën e dhomës, më dha një porosi: “Nëse vijnë më tepër se dhjetë policë, lajmëromë, për më pak, bëj çka të duash se nuk e prishi gjumin”.

Ai kishte të drejtë të shenjtëronte familjen e tij, e cila, asnjëherë, edhe në momentet më të vështira nuk i tha se ku po shkon në rrugën e tij dhe se mund të kishte pasoja e gjithë familja. Asnjëherë nuk i thanë të mos bënte tutje, por i ndenjën aq afër, sa në fund dhanë edhe jetën me të.

Gjithë jetën, për 300 vite me radhë fisi i Jasharëve kishte qenë në të këputur të perit të jetës. Gjithë jetën kishte qenë vetëm një trashëgimtar, vetëm baca Shaban do të kishte tre djem. Dhe ky fakt, tronditës deri në thelbin e tij, do të përbënte edhe kujdesin e jetës së Ademit.

Shpesh herë, miq e dashamirë, ikshin përpjekur të largonin disa nga djemtë e vajzat e familjes së Jasharëve. Nganjëherë edhe i kishin marrë me vete dhe ishin nisur për rrugë, por në kthesën e parë, nipërit e mbesat kishin bërë pas dhe ishin kthyer. Askush nuk mund t’i hiqte prej vatrës së tyre. Askush nuk mund t’i ndante nga njëri tjetri.

Tregon Rifat Jashari :

“Thirra një herë në shtëpi dhe fola me Fitimin, një djalë timin. Më tha se po lasdrohem mor babë. “Lazdrohu, lazdrohu, i thashë, se tash vij në shtëpi dhe flasim për lazdrimin tënd. ” Eh babush, babush , më tha, kur të vish në shtëpi të ka marrë malli, besa të ka këputë malli e ke me e harru lazdrimin tim”.

Ka djalë, që po “lazdrohej”, në natën e 6 marsit do të vritet në oborrin e shtëpisë, duke luftuar me mitraloz, por nuk e kishte bërë mendjen të ikte nga shtëpia.

Në netët e njohura të marsit, kur e gjithë shtëpia ishte rrethuar trefish dhe rrethimi vazhdonte të thellohej, e gjithë familja e tij ishte aty. Pak më parë, katër nipër e mbesa ishin nisur tek dajallarët, të tjerët ishin aty. Ata që mund të luftonin kishin marrë armët. Të tjerët kishin pritur se mos burrave të shtëpisë u duhej ndihma e tyre. Nuk e kishin bërë ndër mend të dorëzoheshin, të prangoheshin, të torturoheshin, të merreshin nëpër këmbë. Kishin bërë në mend të vdisnin në se do të duhej.

Dhe kishin ecur deri në fund në rrugën e njohur të qëndresës, duke u bërë pjesë dinjitoze e mitit të Jasharëve.

Nuk do të kishte mundur të donte Kosovën apo Shqipërinë, ashtu si i donte Adem Jashari, në se nuk do të kishte adhuruar familjen e tij dhe në se kjo familja nuk do të kishte qenë pjesë e dinjitetshme e jetës së tij.

Shembulli i katërt:

Në dhjetorin e vitit 1997 Adem Jashari dhe Grupi i Drenicës dërgojnë një letër, letra e fundit e tyre kjo, në strukturat që i takonin. Janë disa faqe, të shkruara nga Hamza dhe e firmosur nga të gjithë të tjerët. Në të gjitha rreshtat nuk është shkruar asnjë fjalë për vete, asnjë fjalë për familjen e e tij dhe nuk e kishte pasur kurrë, gjithë jetës së tij, në mend një gjë të tillë. Me një respekt të jashtëzakonshëm shkruan për Abedin Rexhën dhe luftën e tij, tregon se si luftuan shokët, si vepruan për të pasur një qëndresë sa më të fuqishme dhe vetëm në fund, si duket duke e ndjerë se lufta do të ishte shumë më tepër se deri atëherë, bën një kërkesë, tepër të zakonshme, ” kemi nevojë për më shumë armatim”.

Sa herë që e kam lexuar atë letër, kam menduar për njeriun që i kishte vënë shokët mbi veten e tij, që e kishte të shenjtë miqësinë dhe fjalën e dhënë, që nuk e fillonte kurrë nga vetja, por nga të tjerët.

Është i njohur fakti se Ademi ishte fjalë  pak. Nuk i donte dhe as nuk i duronte fjalët e gjata. Por e donte miqësinë me njerëzit e luftës, me njerëzit e zakonshëm, nuk u thotë kurrë fjalën e rëndë. Sepse ndonëse nuk fliste gjatë, bile- bile fliste tepër pak, ai e nderonte fjalën.

Në gjithë rrethimin e parë, të 30 dhjetorit 1991, Adem Jashari, si e mban mend i vëllai i tij, Rifati, ka folur veç dy herë. Herën e parë i thotë të vëllait “Veç mos e lësho frontin aty”. Herën e dytë, kur i është afruar kullës, policët serbë kishin qenë duke hyrë në oborr. Menjëherë ka hapur zjarr mbi ta, duke i sharë në atë serbishten që ai e dinte fare pak: “Ku po shkoni he nënën çetnikëve ua …..” u ka bërtitur atyre dhe për nja 4-5 minuta aty i ka shkuar flakë e verdhë.

Askush nuk e mban mend që Adem Jashari t’i ketë thënë fjalën e rëndë. Zakonisht, si kujtojnë shokët e tij, ai, për dikë që nuk e donte, thoshte veç, “hajt hup aty”, si për të dashur ta bënte të paqenë njeriun që nuk e dëshironte, por fjalën e rëndë nuk i a thoshte. Sepse e nderonte fjalën si radhë kush, edhe pse e fliste në të rallë.

Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë, ashtu si njerëzit e zakonshëm hyjnë e dalin nëpër oborrin e shtëpisë së tyre. Mbi të gjitha miti i tij, legjenda dhe e vërteta për të ka një akt kulmor, në tri kohë të ndryshme, që lidhet me tri rrethimet që i janë bërë kullës së tij.

“Milionat, pozitat e larta, femrat, akuzat”- Si u bë i famshëm Silvio Berlusconi?

Në botën plot labirinte të politikës italiane, Silvio Berlusconi, ishte njeriu që diti të përziente më mirë se kushdo tjetër biznesin me jetën publike. Personaliteti...

10 vendet që nuk duhen vizituar kurrë

Lexie Alford mban rekordin Guinness si personi më i ri që ka udhëtuar në çdo shtet të botës. 25-vjeçarja amerikane ka qenë në 196 shtete...

Ekspertët befasojnë me paralajmërimin e fundit, ja çfarë do të ndodhë me njerëzimin

Një grup ekspertësh, përfshirë drejtuesit e OpenAI dhe Google Deepmind, kanë paralajmëruar përmes një deklaratë të përbashkët se inteligjenca artificiale mund të çojë në...

Raportimi i frikshëm i Microsoft: AI ka elementë të logjikës njerëzore!

Prej disa kohësh tashmë, inteligjenca artificiale po pushton gjithmonë e më shumë jetët tona, si një tentativë e frikshme për të zëvëndësuar tiparet e...

Vdes George Soros? Publikohet lajmi që shokoi botën

Thashethemet për vdekjen e financierit George Soros kanë vërshuar sërish internetin. Investitori, biznesmeni dhe kryefinancieri hungarez amerikan njihet më së shumti për punën e...

RAJONI

All

“Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën”, Rama: Kosova duhet të shpallë zgjedhje të menjëhershme

Kryeministri Edi Rama, shprehet se qëndrimi i tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës, është i njëjtë me atë të liderëve të...

Rama: Ushtria serbe nuk i prek dot një fije floku Kosovës, thjesht i vjen vërdallë për konsum të brendshëm

Duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, kryeministri Edi Rama thotë se lëvizja e ushtrisë së Serbisë pranë kufirit është për konsum të...

New York Times zbulon lidhjet e presidentit serb me botën e krimit, ja çfarë pretendohet

Revista javore e gazetës Nju Jork Tajms, ka botuar një artikull të gjatë, ku zbulon lidhje të pretenduara të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me...

Vritet i akuzuari për kontrabandë droge nga Mali i Zi dhe Shqipëria

akuzuari për kontrabandë droge nga Mali i Zi dhe Shqipëria ka mbetur i vrarë në Zagreb. Mediat vendase bëjnë me dije se ngjarja...

Çanak: Kosova u fitua me luftë më 1912 dhe u humb me luftë më 1999

Nenad Çanak, ish-kryetar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës dhe një nga liderët e Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS), ka kujtuar kohën sa ishte...

Deklarata tronditëse e Abazoviç: Gabimi më i madh i mafias ishte që nuk më vrau

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar pas akuzave të ish-kryeprokurorit special Milivoj Katniç për lidhjet e tij me klanin kriminal Skaljar.duke...

Kompania Kosovare Royal/ Ndërton hotelin luksoz “Jadran”, nënshkruhet marrëveshje milionëshe në Mal të Zi

Është bërë nënshkrimi i Aneksit IV i kontratës në vlerë prej mbi 40 milionë euro për ndërtimin e hotelit me pesë yje në qendër...

EKONOMI

SHOWBIZI

BIZNES

rubrika rozË