Java që po lëmë pas, po mbyllet me një bilanc tragjik. Shtatë persona humbën jetën tragjikisht si pasojë e aksidenteve në trafik në vetëm tri ditë. Pos kësaj, numri i madh i aksidenteve me vetëm dëme materiale dhe persona të lënduar, vazhdon të mbetet shqetësues. Shkaktari më i shpeshtë, është shpejtësia dhe moszbatimi i rregullave tjera në komunikacion, raporton Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur të mërkurën mbrëma gjithë vendin. Një aksident i rëndë në trafik që ndodhi në rrugën Ferizaj – Shtime, saktësisht në vendin e quajtur Porodime, u mori jetën katër të rinjve Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar dhe Arsim Isufaj, ndërsa mbetën të lënduar rëndë një çift burrë e grua.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur vetura BMË me të cilën po udhëtonin katër viktimat, për arsye të panjohura ka humbur kontrollin mbi timon dhe ka goditur dy veturat të cilat ishin në përballëkalim.
E mëngjesin e djeshëm, një aksident trafiku doli të jetë me pasoja fatale për 33-vjeçarin tashmë të ndjerë, Albanot Emerllahu dhe vajzën e tij e cila nuk kishte mbushur ende një vit jetë, O.Emerllahu
Vetura e tij me të cilën po udhëtonte bashkë me bashkëshorten dhe vajzën, u ndesh me një furgon në rrugën mes fshatit Domoroc dhe Hodonc të komunës së Kamenicës.
E lënduar rëndë ka mbetur gruaja e Albanotit, e cila po vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aty ku sot në mëngjes pushoi së rrahuri zemra e vogëlushes, e cila s’arriti t’i përballojë plagët e marra në aksident.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet se erdhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, me ç’rast vozitësi i furgonit ka humbur kontrollin mbi timon dhe doli në shiritin e kundërt ku ka goditur veturën të cilën po e drejtonte i ndjeri, Albanot Emerllahu.
Tragjikisht ka humbur jetën mbrëmë edhe ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Bilall Hadërgjonaj. Ai u godit për vdekje nga një veturë në fshatin Rastavicë të Deçanit. Ani pse Hadërgjonaj u dërgua me urgjencë në spital, i njëjti nuk arriti që të mbijetojë dhe ndërroi jetë në QKUK.
Hadërgjonaj kishte pësuar vet-aksident pasi ishte duke qarkulluar në rrugën Gjakovë – Deçan, i njëjti duke mos ju përshtatur shpejtësisë kishte humbur kontrollin dhe në një moment ka dal nga rruga.
Më pas, me të dalur nga vetura dhe gjatë kalimit të rrugës në kursin nga drejtimi i Gjakovës, 62-vjeçari është goditur nga një veturë e cila ishte në lëvizje.
Sipas burimeve të Sinjalit, shoferi i veturës është Fitim Rexhaj, 34-vjeçar. Sipas informacioneve të para, Rexhaj ishte duke vozitur veturë me targa të huaja në drejtim të rrugës Gjakovë – Deçan.
Lidhur me këto ngjarje tragjike, qytetarët përfshirë edhe Policinë e Kosovës, kanë nisur një fushatë vetëdijësuese kundër aksidenteve në trafik.
Fotografi kosovar, Marjan Konomi, ka shkrepur disa fotografi mjaft interesante.
Komani përmes disa fotove kreative, ka kërkuar që vozitësit të kenë kujdes, pasi shpejtësia vret.
“THIRRJET E FUNDIT! Shpejtësia vret! Juve dhe zemrat e atyre që ju presin. Mos i lini thirrjet PA përgjigjje. Mos shkaktoni thirrjet e fundit!”, thuhet në postimin e Komani.
“Mos u ngut, humbe minutin, e jo jetën për minutin” dhe “Mos e përdor telefonin gjatë vozitjes, se mund t’ju kushtojë me jetë”.
Këto janë vetëm disa nga thirrjet të cilat janë në videon e publikuar në faqen zyrtare të Policisë në ‘Facebook’.