I dërguar special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka deklaruar se nuk do të ketë republikë serbe brenda Kosovës.
Ai në një intervistë për Euronews Albania tha se palët nuk duhet që të kenë frikë nga diskutimi i çështjes së Asociaconit të komunave serbe.
Diplomati gjerman deklaroi se skenari më i keq në këtë rast është krijimi i një republike serbe të re, për të cilën tha se nuk pranohet.
“Nga ana tjetër, është gjithashtu e qartë se skenari më i keq ndonjëherë është i gabuar. Mund të jetë krijimi i një Republika Srpska të re, gjë që nuk është në interesin e askujt. Ne nuk do ta pranojmë një rezultat të tillë. Unë mendoj se shumica e popullit të Kosovës, asnjë politikan i Kosovës nuk do të pranojë këtë gjë. Pra, është gjithashtu e qartë se nuk duhet të keni shumë frikë nga ky diskutim. Se duket sikur ka më shumë frikë që të mos behet ky diskutim. Është shumë e vështirë politikisht, sic dhe tema e njohjes sigurisht shumë e vështirë në Serbi. Por mendoj se kjo gjë nuk do të përfundojë mirë, nëse nuk fillojmë të prekim edhe çështje të vështira dhe gjithashtu të rrisim ndërgjegjësimin në shoqëri se: po, sigurisht që do të përballemi me vështirësi, por dua të them se mund të fillojmë të shohim si mund të duket kjo gjë”, u shpreh Sarrazin.