
Taulant Malaj, bukëpjekësi shqiptar që vrau vajzën e tij 16-vjeçare dhe fqinjin italian e pranoi menjëherë krimin e dyfishtë. Kur zyrtarët e policisë italiane e arrestuan, në trup mbante veshur ende rrobat me gjak, ndërsa armën e krimit, një thikë kuzhine, e kishte braktisur në makinën e tij.
“Gruaja ime e kishte pranuar tradhtinë. Gruaja ime pranoi që kishte një lidhje me Massimo-n. Më kishte kërkuar falje për këtë lidhje, por unë doja të ndaheshim”, kështu mësohet t’i ketë thënë hetuesve 45-vjeçari, shkruan ANSA.
Media italiane sjell dëshminë e tij të plotë, ashtu sikurse edhe detaje të tjera nga ngjarja tragjike që ndodhi orët e vona të së shtunës, në pallatin ku jetonte familja shqiptare, në Torremaggiore të Foggia-s.
Për ANSA-n detajet i përcjellin dy mbrojtësit ligjorë të shqiptarit të arrestuar, Michele Maiellaro dhe Giacomo Lattanzio. Sipas rrëfimi të vetë shqiptarit, gjatë ditëve të fundit kishte pasur një debat në familje, gjithnjë për tradhtinë e supozuar, në fund të së cilit 45-vjeçari kishte thënë se donte të ndahej.
Por sipas tij, gruaja, 39-vjeçarja Tefta Malaj, e kishte bindur që të rrinte në shtëpi. E duket se Malaj, gjithnjë sipas rrëfimit të tij, e kishte kapur bashkëshorten disa herë në katin e tretë të godinës, aty ku jetonte i dashuri i saj i supozuar. Por të shtunën kishte ndodhur diçka tjetër, gjithnjë sipas rrëfimit që autori i dyshuar ka dhënë për hetuesit.
Gjatë kohës që burrë e grua ishin në shtrat, gruaja sipas tij, nisi të fliste me mesazhe me dikë. 45-vjeçari kishte dyshuar dhe kishte parë telefonin e të shoqes, ku sipas tij, kishte zbuluar se ajo po fliste me fqinjin e shtëpisë, Massimo-n. Pak kohë më pas, kishte dalë nga shtëpia dhe kishte pritur derisa Massimo të kthehej nga një lokal ku kishte qenë. Sapo ai hyri në derën e godinës së banimit, e goditi për vdekje me thikë.