Një person rreth moshës 25-vjeçare është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e djeshme në lagjen Kalabria (ish-Emshir) në Prishtinë.
Burimet brenda Emergjencës njoftuan se në orët e mbrëmjes së djeshme kanë pranuar një thirrje për t’i dalë në ndihmë një qytetari në lagjen Emshir, i cili sipas telefonuesit ishte i moshës së re dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Një ekip e Emergjencës i është përgjigjur thirrjes dhe me të arritur në lokacionin te ‘Kullat e arabëve’, nga qytetarët është drejtuar tek banesa ku gjendej një i ri rreth moshës 25-vjeçare, e për të cilin ishin vënë në dijeni se është pa ndjenja.
Pas ekzaminimit për shenjat vitale, nga mjeku është konstatuar se personi kishte ndërruar jetë.
Si rezultat i kësaj, burimet thonë se janë detyruar që të njoftojnë edhe Policinë e Kosovës.