Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka theksuar edhe një herë se nuk është koha e përshtatshme që ministrat e Qeverisë Kurti të realizojnë vizita zyrtare në ShBA, meqë në Kosova ka krizë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një deklarate për media, nga ambasada kanë thënë se këtë mesazh ua kanë përcjellë edhe zyrtarëve të Qeverisë.
“Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar. Ne këtë mesazh po ua përcjellim zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë”, thuhet në deklaratë.
Se nuk është koha për të udhëtuar në vizita zyrtare në SHBA pasi jemi në krizë, Ministrave të Qeverise Kurti ua bëri të qartë edhe dje ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një diskutim me gazetarë që u publikua edhe si intervistë në Gazetën Online Reporteri.net.
Përgjigja e Ambasadorit Hovenier erdhi pas pyetjes në lidhje me raportimet se Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, SHBA-ka ia ka refuzuar vizën amerikane.
“Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier gjatë bisedës gazetarë./ Reporteri.net