Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka treguar qëndrimin e partisë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka thënë se pret nga deputetët e LDK-së që të tregohen unikë dhe të jenë në vijë me qëndrimet partiake.
“A mbetemi unik ose jo duhet të definohet me kohë. Në politikë nuk jemi për vendimet të lehta, por të vështira. Deputetët duhet të jenë në vijë me qëndrimet e partisë. Duhet të jemi unikë. Nëse nuk jemi, i bëjmë dëm partisë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe, Abdixhiku i cili mori udhëheqjen e partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës për shkak të humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, tha sot më herët se kanë vendosur që LDK të merr pjesë në votimin e presidentit, në këtë rast të Vjosa Osmanit.
“Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon dhe fatin politik të vendit për një periudhë pesëvjeçare. Në këtë fat, rol të veçantë ka vetë presidenti; si autoritet unifikues, si zë i pavarur, si figurë apartiake. Ne presim që presidenti i ardhshëm i vendit, të ushtrojë këto detyrime me përgjegjësi të plotë që të jetë president i të gjithëve, që të jetë bashkues e jo ndarës, që të jetë garantues i Kushtetutës e jo keqpërdorues i saj, që të jetë njëmend president, e jo një i nënshtruar i një pushteti”, ka shkruar ndër tjerash Abdixhiku në Facebook.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit mori 12.73 për qind të votave, duke shënuar kështu rezultatin e saj më të dobët.